Të përkrahësh shërimin – ky ka qënë një qëllim kryesor i leximeve të Edgar Cayce. Teksti si më poshtë nuk përfshin mjekime për sëmundje specifike, por konceptet bazë të filozofisë së Edgar Cayce për shërimin. Është një tekst i paçmuar për këdo që po punon me rekomandime më të detajuara të Cayce mbi sëmundje të ndryshme dhe përfshin parime që duhen ndjekur në mënyrë që trajtimet, proçedurat dhe terapitë të funksionojnë. 

Shkurtimisht, ja cilat janë disa nga idetë bazë që do të zbulosh duke lexuar këtë faqe:

Së pari, shërimi është një proçes që kërkon të mbajmë një ekuilibër midis dy parimeve: 

1. I gjithë shërimi vjen nga e pafundmja — domethënë, nga harmonia e krijuar me burimin, origjinën tonë shpirtërore. Energjia e pafundme universale është po aq e pranishme dhe e arritshme në botën e dukshme materiale po aq sa është në botën e padukshme. 

2. Në të njëjtën kohë, çdo individ duhet të mbajë përgjegjësi për shërimin e vet. Asnjë nuk mund thjesht të rrijë dhe të presë që të shërohet pa bërë asgjë. 

Ky parimi i dytë — nevoja për vetë-përgjegjësi — mund të marrë forma të ndryshme. Për shëmbull, shërimi kërkon harmonizim, dhe asnjë nuk e di më mirë se ne vetë çfarë e ka shkaktuar mungesën e harmonisë në të kaluarën. Shpesh, nëse shohim jetët tona me kujdes, mund të shohim (pa patur nevojë për një person kaq të talentuar sa Edgar Cayce) çfarë e shkakton sëmundjen tonë. 

Për të sqaruar vetë-përgjegjësinë më tej: trupi njerëzor ka një shtysë të mrekullueshme dhe natyrale drejt vetë-shërimit, por ne duhet të bëjmë pjesën tonë. Një kockë e thyer do përpiqet të ngjitet vetë përsëri; megjithatë fraktura duhet të pozicionohet siç duhet që shërimi të jetë i plotë dhe i efektshëm. 

Një tjetër parim i rëndësishëm lidhet me mjekësinë energjitike, një fushë e re në të cilën Edgar Cayce ka qënë nismëtar. Leximet e tij flasin në mënyrë të vazhdueshme për rolin e vibracioneve ose forcat vibracionale– deri në nivel atomesh. Sipas Cayce, ekziston një lloj ndërgjegjeje që ndodhet në çdo atom. Megjithëse shumë nga fragmentet mbi fizikën atomike të shërimit mund të duken mjaft ezoterike, mund të jetë më e lehtë nëse ndjekim analogjinë e harmonizimit të një instrumenti me tela. 

Një violinë apo një piano që është e çakoduar, krijon muzikë të vrazhdë dhe jo harmonike — një simbol i sëmundjes. Njësoj si një muzikant i mirë që akordon përsëri instrumentin, po ashtu ne përjetojmë shërim kur vibracionet tona– deri në nivel të atomeve — janë rregulluar në mënyrën e duhur. Në thelb, çdo shërim është një ndryshim i vibracioneve brënda nesh. 

Balanca midis trupit, mëndjes dhe shpirtit është një pikë e rëndësishme e filozofisë së Cayce mbi shërimin. Që shërimi të jetë i plotë dhe i qëndrueshëm, ne duhet të pranojmë dhe të plotësojmë nevojat e secilit prejt këtyre tre niveleve (trupi, mëndje, shpirt). Praktikisht, asnjë sëmundje nuk mund të mjekohet në mënyrë të suksesshme duke trajtuar vetëm një nga këto tre nivele.

Për më tepër, Cayce pohon se trupi i njeriut do të qëndrojë i shëndetshëm në mënyrë të natyrshme — madje do ta rinojë veten — nëse mund të mbahet njëfarë ekuilibri i brëndshëm. Sëmundja nis kur një pjesë e trupit përthith energji nga një pjesë tjetër. Një pjesë e organizmit mbingarkohet me forcë krijuese jetësore, ndërsa pjesa tjetër nuk furnizohet mjaftueshëm. Rezultati është një shpërbërje graduale e trupit dhe fillimi i sëmundjes. 

E kundërta e këtij proçesi shpërbërjeje, është rinimi. Leximet pohojnë se ne jemi duke “rindërtuar” trupat tanë vazhdimisht. Brënda një periudhe 7-vjeçare, çdo qelizë në trupin tonë është zëvëndësuar me të reja. Nëse i lejojmë, trupat tanë do transformojnë çdo problem dhe do të ringjallin çdo konditë. Por zakonet e rrënjosura tek ne, zakonisht e bllokojnë këtë potencial shërimi — zakone veprimi dhe akoma më të fuqishme, zakone të mëndjes.

Çfarë roli luajnë ilaçet dhe mjekësia në proçesin e shërimit? Filozofia e Cayce qartazi sheh një rol për to, por paralajmëron mbi keqkuptime mbi mënyrën si funksionojnë dhe mbi pritshmëritë e tepërta që mund të kemi për to. Çdo metodë shërimi mundohet të krijojë një eksperiencë harmonie, me shpresën se kjo stimulon një përgjigje të ngjashme në trup.

Për disa njërëz, në disa situata, ilaçet mund të jenë mënyra më e mirë për ta arritur atë harmoni– njësoj si në disa raste, kirurgjia mund të jetë mënyra më e mirë për të stimuluar shërimin. Ilaçet mund të jenë një mënyrë praktike e të aplikuarit të forcës jetësore. Në disa raste ato duhet të krijojnë reagime të forta në mënyrë që të ndihmojnë një pacient me një sëmundje akute.

Por herë pas here Cayce i inkurajonte njërëzit të merrnin në konsideratë formulat bimore që ai këshillonte si tonikë dhe stimulues, jo ilaçe. Ana e rrezikshme e ilaçeve është potenciali që kanë për të ulur aftësitë e trupit për t’u vetë-shëruar. Kjo ishte çfarë Cayce nënkuptonte kur paralajmëronte mbi “qetësuesit” që mashtrojnë shpirtin me gjysmë të vërteta dhe lehtësim të përkohshëm.

Të njëjtin kuptim ka edhe paralajmërimi i tij se nuk duhet të mbështetemi në kondita jashtë vetes tonë që mund të përthithen përbrënda nga trupi. E gjithë kjo do të thotë të marrësh mjekime nga mjekë tek të cilët ke besim. Por ki parasysh këtë: çfarë ato kimikate bëjnë përkohësisht — dhe në një farë mënyre artificialisht — është t’i japin trupit tënd eksperiencën e një harmonie më të madhe. 

Shërim që nuk është i përkohshëm por që zë vënd dhe zgjat në kohë, duhet të vijë nga ndryshimi i ndërgjegjes dhe të vibracioneve. Kjo ndodh më mirë kur përpjekjet tona janë të vazhdueshme dhe konsistente (për shëmbull: të punosh me dëshirat dhe vullnetin tënd) — një gjë që pilulat na lejojnë të shmangim lehtësisht. Filozofia e shërimit të Edgar Cayce përfshin të dhëna të tjera që na ndihmojnë të shmangim keqkuptimet.

Për shëmbull, një parim thotë që trajtimet më të mira ndonjëherë shkaktojnë një përkeqësim të përkohshëm të gjëndjes. Nëse nuk do ta merrnim parasysh si mundësi, mund të hiqnim dorë nga trajtimi para se të arrijmë të përmirësohemi. Një parim i lidhur me atë më sipër thotë se ndërsa trupi rigjen harmoninë e brëndshme, ka tendencë të bëhet më i ndjeshëm. 

Përsëri, nëse e keqkuptojmë rritjen e ndjeshmërisë, nuk mund të shohim përmirësimin që trupi po pëson. Mëndja është një pikë kyçe e parimeve të tjera të shërimit. Nënvetëdija luan një rol në shumë sëmundje. Një shëmbull është faktori karmik në problemet shëndetësore. Kujtime nga mishërime të kaluara, të ruajtura në “mëndjen e shpirtit” (nënvetëdija jonë) mund të shkaktojnë probleme në trup.

Natyrisht, nuk duhet të shkojmë aq larg sa të supozojmë se çdo problem shëndetësor ka rrënjë në jetë të kaluar; megjithatë, perspektiva e rimishërimit na ndihmon të kuptojmë më mirë se me çfarë lloj problemi kemi të bëjmë ndërsa mundohemi të shërohemi. Shprehja e famshme e Edgar Cayce “mëndja është ndërtuesi” na bën të pyesim veten cilat janë mendimet dhe ndjenjat që i përshaten më mirë proçesit të shërimit.

Leximet vënë theksin në disa prej tyre: 

Vetë-pranimi: Duke larguar ndjenjat e fajit ndaj vetes tonë, i hapim vend forcave shëruese. 

Optimizëm dhe shpresë: Leximet na nxisin të presim shërimin.

Durim: është më e lehtë dhe e shpejtë ta shkatërrosh shëndetin sesa ta rindërtosh atë. Ne duhet të jemi të gatshëm të durojmë dhe të investojmë gjithë kohën e nevojshme.

Bashkë me këto qëndrime dhe sjellje, leximet na ftojnë të përdorim potencialin krijues të vizualizimit për të stimuluar shërimin. Aftësia e mëndjes për të imagjinuar mund të drejtohet në një mënyrë të tillë që ne mund të “shohim” shërimin teksa ndodh. Kjo nuk është diçka që arrihet me një seancë të vetme vizualizimi. Si të gjitha përqasjet e Cayce që promovojnë shëndetin, edhe vizualizimi kërkon këmbëngulje dhe funksionon më mirë i shoqëruar me metoda të tjera shëruese.

Ndoshta parimi më i rëndësishëm për sa i përket lidhjes së mëndjes me procesin e shërimit, është qëllimshmëria. Një person mund të përjetojë përkohësisht një shërim të jashtëm — pra vetëm në trupin fizik — por të jetë ende i sëmurë nga ana shpirtërore. Çfarë e shëron shpirtin? Zotimi për të jetuar me një qëllim. 

Jo çfarë do lloj qëllimi, por një që pasqyron përkujdesjen ndaj të tjerëve. Ndonjëherë, gjatë leximeve, Cayce i bënte këtë pyetje personit të sëmurë: Çfarë do bëje me jetën tënde nëse do të shëroheshe? Qëndrimi i burimit të informacioneve psikike të Cayce ishte i qartë: Përse të ndreqësh një problem fizik nëse nuk do të ndreqësh gjëndjen e brëndshme (të shpirtit dhe mëndjes)? 

Njërëzit që kërkojnë një shërim të brëndshëm dhe të jashtëm janë kandidatët më të mirë për të pasur një shëndet dhe forcë jetësore të ripërtëritur. Në filozofinë e Cayce, shërimi duhet të na drejtojë tek të qënit më të dobishëm për të tjerët. Duke pasur këtë ideal në mëndje, ne mund të pyesim si mund të bëhemi një mjet shërimi për të tjerët? Cilat parime drejtojnë përpjekjet tona për të ndihmuar të tjerët, veçanërisht ata për të cilët shqetësohemi?

Një parim bazohet në lidhjen shpirtërore që ekziston midis të gjithë njerëzve. Ky parim konstaton që ndërsa ne vetë përjetojmë harmoni në ndërgjegjen tonë, kjo energji mund të ndihmojë dikë tjetër të përjetojë harmoni dhe shërim. Cayce thoshte “…të lartësosh Ndërgjegjen e Krishtit në vetvete deri në atë pikë sa energjia del jashtë vetes dhe shkon drejt personit tek i cili do ta drejtosh.” (281-7)

Që ky proçes të jetë efektiv, personi që merr këtë energji duhet të dëshirojë ndihmën që po i jepet dhe të ketë kërkuar vetë lutje për shërim. Natyrisht, ne mund të lutemi gjithmonë për dikë, edhe pse ai person nuk na e ka kërkuar. Por është e rëndësishme që të mos supozojmë se e dimë se çfarë nevojitet në jetën e dikujt. 

Për dikë që nuk ka kërkuar lutje, mundemi thjesht të ofrojmë lutje mbrojtjeje dhe bekimi, në vënd që të mundohemi të dërgojmë energji shëruese tek ai person ose për kondita specifike. Si përfundim, leximet e Cayce na kujtojnë se gjëndja jonë natyrale është harmonia dhe shëndeti i mirë. Një mençuri e brëndshme, me të cilën kemi lindur të gjithë, e di se çfarë kemi nevojë për t’u shëruar. Ne duhet të presim me optimizëm të bëhemi më mirë dhe duhet të bëjmë pjesën tonë të punës që kjo të ndodhë.

Është gjithashtu e rëndësishme të mbajmë mënd se çdo lexim psikik është dhënë për një individ të caktuar. Duhet theksuar se asnjë trajtim i sugjeruar për sëmundje të caktuara nuk duhet “lartësuar” nga statusi i një leximi individual dhe provuar nga një tjetër person përveçse nën mbikqyrjen dhe bashkëpunimin e një mjeku ose profesionisti të liçensuar të kujdesit shëndetësor. Megjithatë, ka pasur shumë sugjerime (shëndetësore) që janë dhënë në mënyrë të përsëritur (në lexime) dhe këto mund të studjohen për të parë si mund të aplikohen tek vetja. 

Këto parime të shërimit mund të bashkohen në katër kategori:

Qarkullimi – të lëvizësh gjakun nëpër trup përmes terapive si masazhi ose manipulimi i shtyllës kurrizore.

Asimilim – të shtysh trupin të marrë ushqyesit e duhur duke ngrënë ushqimet dhe kombinimet e duhura. 

Qetësim – të marrësh kohë për shplodhje dhe të lejosh trupin të rivendosë dhe kundërpeshojë aktivitetet e ditës.

Eliminim – të heqësh mbeturinat nga trupi përmes terapive si djersitja, pastrime të zorrës së trashë dhe sauna.

Lexo artikullin origjinal këtu

Mark Thurston, Ph.D. Education Department