Rimishërimi është besimi se secili prej nesh kalon nëpër një seri jetësh me qëllim rritjen shpirtërore dhe zhvillimin e shpirtit.
Për 20 vitet e ardhshme pas përmëndjes për herë të parë të rimishërimit në 1923 në leximet e Edgar Cayce, tema e jetëve të kaluara do të shfaqej përafërsisht 2000 herë. Leximet që Cayce dha, dhe që i drejtoheshin direkt personit (që e kishte kërkuar leximin), u quajtën “Lexime Jete”. Në këto lexime jete, Cayce-t i kërkohej të shikonte jetën e tanishme të personit dhe të jepte informacione mbi qëllimin me të cilin kishte ardhur në jetë, dhe kjo e çonte detyrimisht Cayce të lexonte shpirtin e tyre.
Një lexim jete tipik do niste me një frazë të tipit: “Po, e kemi entitetin këtu, dhe ato lidhje me universin dhe forcat universale, siç janë të fshehura dhe të shfaqura në qënien e tanishme.”
Përqasja e Cayce ndaj rimishërimit përqëndrohej tek mënyrat praktike për t’u përballur me jetën tani dhe këtu– duke jetuar, duke u rritur dhe duke qënë në shërbim (të të tjerëve) në këtë jetë. Siç Cayce e ka thënë vetë, nuk ka kaq shumë rëndësi se kush kemi qënë se sa mënyrat si veprimet e të kaluarës ndikojnë në situatat tona aktuale, dhe me çfarë mundësish dhe vështirësish po përballemi për shkak të tyre.
“Në shqyrtimet e tua, atëherë, dije se ku po shkon…të zbulosh se vetëm jetove, vdiqe dhe u varrose poshtë pemës në truallin e gjyshërve nuk të bën ty asnjë çik më të mirë si fqinj, si qytetar, si nënë apo baba! Por të dish që ke folur keq dhe ke vuajtur për këtë dhe në të tashmen mund ta korrigjosh duke qënë i drejtë– kjo ka vlerë!”
Rimishërimi dhe Karma
Një tjetër përbërës kryesor në lexime është idea e karmës. Fjala “karma” vjen nga gjuha Sanskrit dhe do të thotë “akt, veprim ose punë”; shpesh është interpetuar si “shkak dhe pasojë”. Leximet e përcaktojnë karmën si kujtesa e shpirtit– një seri informacionesh që nënvetëdija ka në dispozicion dhe mund të përdorë në të tashmen.
Për shëmbull, një person mund të takojë dikë dhe të ndjejë një pëlqim ose antipati të menjëhershme, pa ndonjë shkak të dukshëm. Një kujtesë e nënvetdijshme mund të jetë shkaku themelor i këtij reagimi fillestar, por është e rëndësishme që të mbajmë mënd se ne kemi kontroll përmes vullnetit të lirë, mbi çfarë mendojmë dhe si veprojmë mbi këto mendime.
Leximet na thonë se në të vërtetë nuk ka karma “midis” personave, por ka karma ndaj vetvetes. Është një dinamikë interesante fakti që ne përballemi me veten tonë përmes marrëdhënieve me të tjerët; dhe është mënyra se si vendosim të përballemi me veten që përcakton në thelb eksperiencat e jetës tonë.
Me vullnetin e lirë mund t’i transformojmë sfidat që jeta sjell në shkallë që cojnë drejt rritjes, ose mund t’i shohim si pengesa. Sido që të jetë, ne korrim cfarë kemi mbjellë.
Lajmi i mirë është se, sipas Cayce, talentet dhe aftësitë tona nuk humbasin kurrë. Nëse ke zhvilluar një aftësi në një jetë, do kesh mundësi ta shfrytëzosh në jetën tjetër. Aftësitë tona kanalizohen në drejtimet që do na ndihmojnë më shumë për të përmbushur qëllimet tona në një jetë të caktuar.
Rimishërimi dhe Jeta Pas Vdekjes
Sipas shpjegimit që Cayce jep për rimishërimin, kur ne vdesim, jeta tjetër nuk nis menjëherë sepse shpirtit i jepet mundësia për të analizuar me vëmëndje gjithë çfarë ka mësuar. Më pas, ne vendosim vetë se çfarë mësimesh duhet të mësojmë herës tjetër.
Nëse do të kthehemi në planin tokësor, ka shumë gjasa që shpirti të zgjedhë të vijë mes njerëzve që ka njohur më parë– ky quhet “grup shpirtrash”. Ne mund të zgjedhim të lindim si femër ose mashkull në cilëndo jetë, ose sic e quante Cayce, “mishërim”. Zgjedhjet e bëra jane të tilla që shpirti ynë të përmbushë sa më mirë qëllimet e vendosura për atë jetë. Ne përzgjedhim ambientin rrethues (prindërit, familjen, vendndodhjen, kohën, etj.) që do na lejojë të mësojmë ato mësime për të cilat kemi nevojë për të arritur plotësinë.
Rimishërimi dhe sfidat e jetës
Jo gjithmonë arrijmë të kuptojmë pse ndodhemi në situata të caktuara, ose ndoshta jemi zhgënjyer nga padrejtësitë dhe vuajtjet që shohim tek të tjerët. Ndoshta nuk do t’i dimë kurrë “pse-të” dhe në fakt, “pse-të” mund të mos jenë gjëja më e rëndësishme. Çfarë është e rëndësishme, është mënyra si zgjedhim t’u përgjgjemi. Mënyra si i përgjigjemi situatave të ndryshme përcakton cilën eksperiencë të rradhës do tërheqim drejt vetes.
Rimishërimi është një koncept që gjendet jo vetëm në Lindjen e largët por edhe në fetë kryesore të botës. Është një koncept që na shtyn të kemi më shumë dhembshuri për njëri tjetrin. Është një mënyrë për të parë të gjitha aspektet e jetës me një qëllim. Megjithatë, nuk ka shumë rëndësi nëse dikush beson apo dyshon në teorinë e rimishërimit. Për disa është një koncept i dobishëm; për të tjerë është ngatërrues. Arsyeja për të besuar në rimishërim nuk është që të jetojmë në të kaluarën por që të përdorim më mirë të tashmen.
Lexo artikullin origjinal këtu