Sipas Edgar Cayce, harmonizimi dhe aplikimi janë në zëmër të zhvillimit shpirtëror. Harmonizimi është proçesi i ndërgjegjësimit ndaj natyrës sonë shpirtërore dhe marrëdhënies së vërtetë me Zotin. Mjetet që janë rekomanduar më shpesh për të arritur këtë harmoni janë praktika e rregullt e lutjes dhe meditimit. Cayce besonte se lutja ishte t’i flisje Zotit ndërsa meditimi ishte ta dëgjoje Zotin. Të dyja, lutja dhe meditimi janë të paçmueshme në ri-vendosjen e një ndërgjegje të vetëdijshme për burimin tonë shpirtëror ndërsa e ftojmë vullnetin e Zotit të punojë nëpërmjet nesh si “kanal bekimi” për të tjerët. 

Meditimi

Pavarësisht se meditimi ka shumë kohë që është një praktikë e përhapur në Lindje, në Perëndim ka nisur të përhapet rreth viteve 1960. Sot, kërkime klinike kanë vërtetuar se meditimi ka efekte pozitive në shëndetin e përgjithshëm të njeriut, dhe shumë mjekë tani e rekomandojnë tek pacientët e tyre si një mënyrë për të luftuar stresin. Është mjaft interesante që Edgar Cayce e rekomandonte meditimin që në vitet 1920 dhe 1930. 

Në terma të thjeshta, meditimi është praktika e qetësimit të trupit tonë fizik dhe mëndjes sonë, duke e drejtuar vëmëndjen përbrënda në vënd të botës përreth. Teksa nis ta praktikosh meditimin përditë, bëhet më e lehtë. Mund të vësh re që ndjesia e paqes që ndjen gjatë meditimit, do të mbartet edhe përgjatë ditës. Pavarësisht se disa filozofi sugjerojnë që mëndja duhet të jetë bosh gjatë meditimit, Cayce thotë se mëndja është një forcë konstruktive dhe lejon harmonizimin më të mirë të mundshëm nëse përdoret në mënyrën e duhur. 

Cayce shpesh sugjeronte që të përqëndronim mëndjen tonë tek një pohim pozitiv gjatë meditimit.  Mund të zgjedhësh të përsërisësh një frazë  në mëndje si “Unë jam në paqe” ose “Zoti është Dashuri” dhe të mundohesh ta mbash ndjenjën që të jep ajo frazë (psh. ndjesi lumturie, paqeje, etj) në ndërgjegjen tënde, teksa qëndron ulur në heshtje. Edhe fillestarët mund të përjetojnë efektet qetësuese të disa momente heshtjeje të përqëndruar ose të mendimeve pozitive.

Lutja

Lutja është me të vërtetë një koncept universal që kuptohet nga të gjitha kulturat dhe njerëzit kudo në botë. Sipas leximeve të Edgar Cayce, është një mëndje kolektive (Fryma Hyjnore ose Burimi shpirtëror) dhe ne jemi të gjithë projektime të saj/tij. Si Frymë, ne jemi të gjithë një dhe mund të ndikojmë tek njëri tjetri në mënyrë pozitive por edhe në mënyrë negative. Çdo mendim krijon një gjurmë mbi mëndjen kolektive. Lutja është kaq e fuqishme sa njëherë Cayce tha “Përse të shqetësoshesh kur mund të lutesh?”. Me shqetësimin nuk arrihet asgjëkundi, ndërsa lutja, ashtu si edhe shkenca po zbulon së fundmi, funksionon. Lutja ndikon në situata, njërëz dhe rezultate. 

Pesë këshilla për lutje të fuqishme

1. Kur ke nevojë për lutje, lutu për tjerë që kanë nevojë. Kur japim, marrim. 

2. Përdor shprehje pozitive; në vënd që të bësh një listë të vështirësive që ke në jetë, lutu për përfundimin më të mirë për shpirtin tënd. 

3. Kërko që të bëhet vullneti i Zotit dhe lutja jote mund të marrë përgjigje në mënyra të ndryshme!

4. Përdor një vënd dhe kohë të caktuar për lutjet. Kjo krijon një vend të veçantë dhe të shenjtë për lutjet e tua.

5. Lartësoje lutjen tënde duke medituar fillimisht. Pas meditimit, dërgo dritë dhe energji pozitive tek personat që janë në listën tënde të lutjes.