Kush jemi ne?

Koncepti i vetes tonë të vërtetë që përcjellin leximet e Edgar Cayce, është veçanërisht i bukur, i thellë dhe sfidues. Si fëmijë të Zotit, ne jemi trashëgimtarë të të gjithë dimensioneve të universit si dhe të vazhdimësisë së jetës. Qëllimi i ekzistencës sonë është të jemi bashkëshoqërues me Zotin. Mund të pyesim, “Përse një Zot i përsosur do të kishte nevojë për shoqërim?” Por nëse Zoti është Dashuri, si do të mund të shprehej Ai përveç marrëdhënieve me bashkëshoqërues? Për më tepër, ne do të prisnim nga Zoti i universit që këto marrëdhënie të ishin të shumëfishuara në pafundësi në vënd që të ishin të limituara në numër. 

Shpirti, duke qënë i Hyjnorit, merr pjesë në cilësitë më themelore të Hyjnorit siç janë vazhdimësia e jetës dhe vetëdija. Pra shpirti është një “shtetas” i përjetësisë jo vetëm me fatin e tj që shtrihet në të ardhmen e pafundme, por edhe me origjinën e tij që buron në të kaluarën e pafundme. Disa, kur dëgjojnë për herë të parë për rimishërimin, shprehin shqetësim mbi humbjen e individualitetit– të kesh qënë “dikush tjetër” dhe jo vetja. Por vetëm shpirti është mbartësi i vërtetë i individualitetit tonë. Në esencën e qënies tonë si shpirtra ne jemi me të vërtetë vetvetja, më shumë se sa në mishërimin tonë aktual. 

Si bashkë-krijues me Zotin, ne jemi të destinuar të marrim pjesë në shprehësi krijuese gjithmonë-rritëse, kuptimplotë, përmbushëse dhe emocionuese. Përgjatë të kaluarës, ne kemi marrë pjesë më shumë se ç’mund ta imagjinojmë në krijimin e vetes sonë, të vetëdijes tonë, të sfidave dhe ndikimet që përjetojmë. Deri në ç’pikë i krijojmë rrethanat tona? Leximet sugjerojnë se edhe pozicioni i planeteve dhe yjeve rreth nesh janë më tepër dëshmitarë të çfarë kemi bërë si bashkë-krijues, se sa një ndikim që përcakton veprimet tona. 

Shpirti mund të përcaktohet si “trupi frymor”. Trupi frymor, si i tillë, mban brënda vetes një rregjistrim të të gjitha mendimeve dhe veprimeve të ekzistencës së vet individuale. Mund të konceptohet si një një formë energjie e strukturuar. Për shëmbull, valët e televizorit të mbajtura nga trasmetuesi deri tek marrësi janë pa formë por gjithësesi të mbushura me informacion të strukturuar. Ato nisin si një shprehësi (aktivitet) tre-dimensionale në një studio televizive, transmetohen si një formë energjie e strukturuar (sinjali) dhe rindërtohen në një prezantim nga një aparat i posaçëm (televizori). Nëse mund ta imagjinojmë një formë energjie të strukturuar që përmban informacion dhe që gjithashtu ekziston në mënyrë të pavarur dhe ka një vazhdimësi të vetën, atëherë do kishim një ilustrim të saktë të shprehjes “shpirti është trupi frymor”. 

Si bashkë-krijues me Zotin, mund të themi që shpirti përbëhet nga frymë (hyjnore), mëndje dhe vullnet. Fryma është e një force, forca e jetës. Në pjesëmarrjen tonë tek kjo forcë, ne mund ta manifestojmë atë në shprehësi krijuese. Mëndja është ai tipar i shpirtit i cili është ndërtuesi dhe në një mënyrë të veçantë, është dhuntia që na bën bashkë-krijues me Atin. Dhuntia e vullnetit është një tjetër tipar i veçantë i frymës hyjnore që na bën të lirë e në këtë mënyrë, trashëgimtarë të vërtetë të natyrës Hyjnore dhe të aftë për të bashkë-krijuar. Si bashkë-krijues me vullnet të lirë, ne mbartim një përgjegjësi shumë herë më të madhe sesa mund ta imagjinojmë për eksperiencat dhe ndërgjegjen e vetes sonë, të krijimeve tona dhe të eksperiencave të kaq shumë shpirtra të tjerë të cilët mbartin efektin e shprehësive tona. 

Le të shohim punën tonë si shpirtra sipas tipareve të shpirtit. E kemi përcaktuar shpirtin si trupi hyjnor me cilësi si fryma hyjnore, mëndja dhe vullneti. Le t’i shqyrtojmë një nga një.

Fryma hyjnore

Fryma hyjnore si forcë jetësore e universit nuk është një forcë neutrale por një forcë me një cilësi që mund të përmblidhet me fjalën ‘Dashuri” në formën më të pastër. Si fëmijë të Zotit, ne kemi akses tek kjo forcë jetësore dhe mund ta shprehim atë në mënyrë të natyrshme përmes veprimeve krijuese harmonike dhe marrëdhënieve, ose mund të zgjedhim ta devijojmë atë dhe t’i japim ngjyrë shprehësinë përmes anës tonë më të ulët, dëshirave dhe zgjedhjeve egoiste. Hapi më i rëndësishëm në përballjen e problemit të zgjedhjes, që është dhënë në leximet dhe që kaq shpesh e kemi përsëritur, është vendosja e një ideali shpirtëror. 

Ndërsa harmonizojmë veten me Frymën Hyjnore dhe teksa e shprehim këtë forcë në jetët tona, një vëmëndje tejet të veçantë meriton cilësia e qëllimit ose e synimit që na jep shtysë në shprehjen e kësaj force. Në fund të fundit, qëllimi i çdo shpirti është dashuria e pastër për Zotin dhe njërëzit e tjerë. Kjo shtysë drejt unitetit universal kundërshton frymën egoiste të rebelimit. Fryma e dashurisë pohohet më qartë në përdorimin e një e idealit të bazuar tek fryma e dëgjueshmërisë, e mira e të gjithëve mbi të mirën individuale dhe ligjet e larta shpirtërore.

Mëndja

Mëndja është cilësia e shpirtit që zhvillohet nga impulsit fillestar deri tek shprehësia (manifestimi). Si bashkë-krijues me Zotin, na është dhënë aftësia krijuese e Hyjnorit që materializon gjithë çfarë mendojmë. Mendimet janë objekte reale, dhe ajo mbi çfarë harxhojmë energji, ajo çfarë mendojmë, atë ne e ndërtojmë, jo vetëm në trupin tonë por edhe në shpirtin tonë. 

Për më tepër, mendimet tona ndikojnë në jetët e të tjerëve, jo vetëm në formën e lutjes por edhe me anë të telepatisë mendore. Me çdo mendim që mendojmë, ne ose jemi duke dëmtuar ose duke ndihmuar, ose duke mbështetur ose duke penguar atë person ose atë situatë tek i cilit mendimi ynë është drejtuar. Me efektin shumëzues që kanë modelet tona të të menduarit, që përsëriten vazhdimisht, ne krijojmë forma mendore që qëndrojnë mes nesh dhe harmonizimit me të tjerët. Ndikimi që kemi tek të tjerët është shumë më i fuqishëm sesa ne kemi imagjinuar ndonjëherë. Prandaj, ne jo vetëm që duhet të përpiqemi të kuptojmë fuqinë e mëndjes, por duhet edhe të mbajmë përgjegjësi për efektet e saj; dhe me shumë diligjencë ne duhet ta përdorim këtë aftësi për të kanalizuar dhe drejtuar energjinë krijuese (të mëndjes) vetëm për qëllime të dobi-prurëse. Mos harro se “…për çdo fjalë të kotë që njërëzit thonë, ata do japin llogari ditën e gjykimit.” (Mateu 12:36)

Duke qënë se çfarë mendojmë hedh rrënjë në trupat tanë dhe në shpirtin tonë, një hap madhor në zhvillimin shpirtëror vjen kur marrim përgjegjësi për mendimet tona dhe u japin drejtim pozitiv. Mos harro: “Çelësi është të bësh, ta shtysh, ta nxisësh mëndjen të jetë njësh me idealin.” (262-84)

Vullneti

Pjesa më e rëndësishme e mundësisë që kemi për zhvillim shpirtëror në planin tokësor, është përdorimi i asaj aftësie të shpirtit që quhet vullnet. Leximet thonë se në planin tokësor, vullneti është faktori edukativ. Përdorimi i vullnetit në përputhje me Ligjin e Dashurisë, na mëson harmoninë dhe na sjell gëzim, lumturi dhe paqe. Abuzimi i vullnetit, në kundërshtim me zgjedhjet e duhura, na sjell në jetë leksione edhe më të vështira dhe sfiduese. 

Pavarësisht interesit të madh në konceptin e vullnetit të lirë dhe bisedimeve pa fund mbi të, shumë njërëz duket se nuk janë mjaft të vetëdijshëm mbi rëndësinë e kësaj dhurate hyjnore. Aftësia personale më e madhe që mund të kemi është përdorimi i duhur i kësaj force, në mënyrë që zgjedhjet tona të mund të ndryshojnë situatat, drejtimet dhe rezultatet e ngjarjeve të jetës për më mirë. Leximet thonë se asnjë faktor ndikues, qoftë i trashëguar, karmik apo i çfarë do lloji, mund të pengojnë vullnetin tonë, me kusht që ky vullnet të jetë njësh me shkëndijën Hyjnore që jeton brënda nesh. Domethënë, kur lidhemi me rrjedhën e kësaj energjie jetësore dhe krijuese, ne mund të ndryshojmë drejtimin që kanë marrë gjërat– drejtim i vendosur nga faktorë ndikues të paracaktuar.   

Një problem i madh për ne si shpirtra, është se mëndja dhe vullneti janë në kundërshtim të drejtpërdrejtë me njëri tjetrin. Me anë të mëndjes ne ndërtojmë dëshirat, mendimet, zakonet, fiksimet dhe varësitë tona. Vullneti mbetet i lirë nga gjithë këto ndikime përcaktuese. Gjithësesi, ato qëndrojnë përreth vullnetit teksa përballet më një zgjedhje dhe ato përbëjnë një model shprehësie (të energjisë krijuese) të gatshëm dhe kaq të volitshëm sa ne u japim rrugë atyre në formën e impulseve, në vënd që të përdorim aftësitë e vullnetit për të qënë me të vërtetë të lirë. 

Mënyra për t’u përballur me këtë problem është vendosja e idealit shpirtëror dhe t’i japim kaq rëndësi dhe përparësi këtij ideali sa të bëhet faktori dominant në motivimin tonë dhe kriteri për çdo vendim në çdo moment. Kur i marrim vendimet tona duke u bazuar në frymën motivuese të idealit, ne jemi të lirë me të vërtetë. 

Përse jemi këtu?

Para hyrjes sonë në dimensionin tokësor, kishte tashmë probleme. Leximet shpjegojnë qartë një gjëndje të cilës i referohet disa herë edhe Bibla, në të cilën njeriu (secili prej nesh), edhe pse i përsosur që nga fillimi, gjeti brënda vetvetes një frymë rebelimi. Rënia, ndarja, ndodhi në “parajsë”, ose në dimensionin shpirtëror. Ky nuk ishte synimi i Zoti. Ishte një zgjedhje e vullnetit të lirë. 

Do të ishte mëndjemadhësi po të mendonim se për shkak të rebelimit tonë, në një farë mënyre do t’ia dilnim më mirë se sa ata që mbetën në një gjëndje harmonie me Zotin. Pavarësisht dhimbjeve dhe vuajtjeve që shohim përreth nesh dhe që përjetojmë në jetet tona, ne ende refuzojmë të pranojmë që diçka shkoi keq dhe si qënie shpirtërore, jemi secili përgjegjës për ndarjen tonë nga Zoti. Edhe sot e kësaj dite, ne vazhdojmë në këtë ndarje përmes zgjedhjet tona të përditshme. 

Nuk e dimë sa miliarda shpirtra kanë marrë pjesë në këtë rebelim ose çfarë përqindje të shpirtrave mbetën në harmoni me Zotin. Për të shqyrtuar këtë pyetje, mund të marrim hua përqasjen e alegorisë së bariut të mirë të Jezusit. Bariu kishte 99 dele në vathë dhe 1 kish humbur. Noshta vetëm 1% e fëmijevë të Zotit u rebeluan dhe të githë janë duke gjetur rrugën e kthimit. 

Leximet thonë se ka shpirtra të zënë në kurth kudo nëpër univers. Pra, ata që kanë rënë nuk janë vetëm shpirtrat që janë duke punuar aktualisht në sistemin tonë diellor. Në nivelin e dimensionit shpirtëror ose të dimensionit mendor, disa shpirtra që janë ndarë nga Gjithësia, nuk janë as të vetëdijshëm për këtë ndarje. 

Nëse ka shpirtra të burgosur nëpër univers, ne që jemi në këtë sistem (Toka) mund të jemi në një situatë veçanërisht fatlume. Të jesh në gjëndje të mishërohesh në dimensionin tokësor është një mundësi e veçantë për të fituar ndërgjegjësim mbi pasojat e mendimeve, zgjedhjeve dhe veprimeve tona. Mishërimi na jep një mundësi për të kujtuar kush kemi qënë dhe të rritemi në harmoni me Zotin. 

Më e rëndësishmja, një ngjarje ka ndodhur në këtë sistem gjatë 2000 vjetëve të fundit, në lindjen, jetën, vdjekjen, ringjalljen dhe punën e vazhdueshme të shpirtit të Jezusit të Nazaretit, që i jep të gjithë shpirtrave në këtë sistem një model të ri përqasjeje, një akses të ri tek energjia (universale) dhe një ndërgjegjësim të ri mbi dashurinë e Zotit. Ai pra, na ka dhënë shpresë me një vlerë të paçmueshme. Si në historinë e bariut të mirë që doli të kërkonte delen e humbur, po ashtu Zoti, si Ati ynë, ka dërguar Krishtin të na ndihmojë të gjejmë rrugën tonë të kthimit drejt bashkimit me Të. 

Leximet thonë se asgjë më e vërtetë nuk është thënë ndonjëherë sesa që Zoti nuk do që asnjë shpirt të zhduket. Mundet që vullenti i njeriut t’i reziztojë dashurisë së Zotit përgjithmonë? Për çdo tundim, Zoti na ka premtuar një rrugë shpëtimi. (I Cor. 10:13). Pavarësisht se si rrëzohemi, Ai vazhdon të sigurojë një rrugë përmes të cilës secili prej nesh mund të lëvizë në ndërgjegje nga cilado gjëndje e gjen veten, përmes një vetëdije që rritet, derisa të jëmi plotësisht një me Atë përsëri. Leximet pyesin a janë shkurtuar krahët e Zotit që Ai nuk mund të japë atë çfarë i duhet secilit shpirt që të ketë eksperiencën e rritjes për të cilën ka nevojë. 

Të jesh në dimensionin tokësor jo vetëm që është një mundësi për të parë pasojat e veprimeve dhe mendimeve tona por është edhe si këndi i lodrave të një shkolle. Kemi lodra me të cilat mund të luajmë, por kemi edhe mundësinë që t’i tejkalojmë këto eksperienca tokësore, emocione dhe gjërat materiale, në një vetëdije gjithmonë në rritje që këto lodra dhe eksperienca nuk i përmbushin mallin dhe dëshirat e vërteta të shpirtit tonë. Ne jemi të etur për t’u kthyer tek shtëpia jonë e vërtetë dhe të marrim pjesë në veprimtarinë e sferës së duhur kozmike. 

Pra ne jemi këtu, sic thuhet në historinë e djalit plangprishës, jo vetëm sepse kemi marrë rrugën e gabuar sipas zgjedhjes tonë, por më e rëndësishmja, sepse kemi nevojë për mundësinë për të rikujtuar kush jemi, të vijmë në vete dhe të themi “Unë do të çohem dhe do të kthehem tek Ati im.” 

Thuhet se Zoti e krjoi “njeriun” sipas imazhit të vet; më saktësisht, është shpirti ai që u krijua sipas imazhit të Zotit. Prandaj, shpirti zotëron të gjitha aftësitë dhe aspektet e natyrës së Hyjnorit. Të thuash që ne jëmi krijuar sipas imazhit të Tij, do të thotë se pavarësisht sa larg shkojmë, gjithmonë mbetet brënda nesh modeli, lidhja me përsosmërinë përmes së cilës mund të rifitojmë harmoninë e plotë me Gjithësinë. 

Si funksionon?

Shpirti, si trupi frymor, nuk është vetëm bashkë-krijues me Zotin, por është edhe mbartësi i të gjitha rregjistrimeve të të gjitha mendimeve dhe veprimeve tona. Pra mendimet dhe veprimet tona janë të rregjistruara në shpirt në Librin e Kujtimit të Zotit, ndonjëherë i quajtur Arkivi Akashik. (Këto rregjistrime, të dokumentuara mbi pëlhurën e kohës dhe hapësirës, mund të lexohen me raste nga njërëz si Edgar Cayce, i cili mund të linte mënjëanë vetveten e ulët deri në atë pikë sa harmonizohej me Gjithësinë, duke kërkuar atë çfarë mund të ndihmonte dhe jepte shpresë personit të cilit po i shërbente. Secili prej nesh, me durim, mund të arrijë në atë gjëndje ku Shpirti Hyjnor do të sjellë gjithçka në kujtesë dhe ne gjithashtu, do të arrijmë një vetëdije personale të këtyre arkivave.)

Shpirti ynë mishërohet, hyn në trupin fizik përafërsisht në momentin e lindjes. Ndonjëherë, fryma e parë e trupit të foshnjes shoqërohet me hyrjen e shpirtit. Shumë përgatitije e kanë paraprirë këtë ngjarje. Shumë zgjedhje janë bërë në nivel të planit shpirtëror të qënieve të përfshira. Qëllimet dhe prirjet e shpirtit, mësimet që duhen mësuar nëpër mishërimet e mëtejshme bëhen faktorët predispozues për rrethanat e projektuara të qënies që vjen në Tokë. Idealet dhe qëllimet e prindërve që mbizotërojnë në mëndjet e tyre në momentin e ngjizjes, bëhen faktorë veçanërisht të rëndësishëm që tërheqin një shpirt drejt një trupi të caktuar. Mos harro që shpirti nuk është vetëm mbartës i arkivit, kujtimeve individuale por është edhe formë energjie e strukturuar. Emanacionet, prurjet e kujtimeve të shpirtit, shumë shpejt depërtojnë çdo qelizë të trupit fizik dhe atëherë shndërrohet në një shprehësi (manifestim) unike dhe të përshtatshme për atë shpirt për sa i përket qëllimeve, marrëdhënieve dhe eksperiencave me të cilat duhet të përballet në këtë mishërim.

Pavarësisht se çfarë thonë të tjerët, nuk duhet të kapemi pas idesë se jemi thjesht një “gjysëm” shpirti dhe jo të plotë derisa të kemi gjetur shpirtin binjak. As nuk duhet t’i japim vëmëndje ideve që thonë se shpirti shfaqet në disa trupa njëkohësisht pra pa i dhënë vëmëndjen e plotë detyrës që kemi në ngarkim. është gjithashtu e kotë të mendosh se shpirti po punon në disa mishërime në periudha kohore historike të ndryshme, përveç të tanishmes. Mos harro: një shpirt për secilin trup dhe një trup për secilin shpirt të mishëruar në Tokë. 

Një jetë për të jetuar

Perspektiva e ndërgjegjes tonë aktuale, në të cilën ndjejmë se kemi vetëm një jetë për të jetuar, mund të duket– sidomos nëse po vuajmë shpirtërisht apo fizikisht– e pafund dhe më e rëndësishme se gjithcka tjetër. E vërtetë, jeta është diçka serioze dhe “basti” është i lartë. Por shpirtrat kanë qënë në dimensionin tokësor për miliona vjet. Kështu që, 70 ose 80 vjet vuajtjesh të mëdha, nëse përdoren për të mësuar një mësim të rëndësishëm, për t’u përballur me një sfidë të rëndë, për të përmbushur një përgjegjësi të madhe, ose për të mbajtur një integritet vetë-sakrifikues që bën të mundur një jetë në shërbim të të tjerëve, nuk duket kaq të rëndë apo dërrmues për shpirtin. Vetëm ndërgjegja jonë e fundme dhe e limituar ndihet e rënduar dhe e dërrmuar. 

Ne jemi unikë

Gjatë krijimit të shpirtrave, Zoti nuk prodhoi një numër të pafund prej nesh si në një linjë prodhimi. Përkundrazi, secili u krijua me cilësi individuale të veçanta dhe unike, asnjë më pak i vlefshëm se tjetri në sytë e Zotit. Pra secili prej nesh ka një punë të veçantë për të bërë–edhe në marrëdhëniet dhe ndërgjegjen e limituar që kemi tani– një punë që nuk mund të bëhet nga asnjë shpirt tjetër. Nëse arrijmë të vlerësojmë siç duhet madhësinë e kësaj të vërtete, atëherë mund të kuptojmë kur leximet i thonë secilit prej nesh që Zoti jo vetëm na krijoi për të qënë bashkë-shoqërues me të por edhe se Ai është i vetmuar pa ne. 

Forma të tjera jete

Nga të gjitha format e jetës në dimensionin tokësor, vetëm njeriu është një shprehësi (manifestim) i dhuratës së veçantë të Hyjnorit: shpirtit. Shumë prej nesh që i duan kafshët në përgjithësi ose kafshët shtëpiake, ndjejnë se këto qënie janë individë unikë që jo vetëm vijnë tek ne nga jetë të kaluara por edhe meritojnë një mundësi për të vazhduar të evolojnë në të ardhmen. është e vërtetë, ka shumë eksperienca që tregojnë për vazhdimësinë e personalitetit të kafshëve. Disa nga këto eksperienca janë të lidhura me jetë të kaluara dhe të tjera me vazhdimësinë e ekzistencës së kafshës pas vdekjes se trupit fizik. Por ne duhet ta kuptojmë këtë vazhdimësi si shprehje të trupit mendor ose trupit astral të kafshës, dhe jo si një cilësi të frymës Hyjnore, shpirtërore. 

Një vështrim më i plotë i vetes tonë si bashkë-krijues, të aftë të projektuar forma mendore që mund të tregojnë një aftësi të lartë autonomie, na ndihmon të kuptojmë marrëdhëniet që kemi me disa kafshë në veçanti. Edhe pse ne mund të mendojmë se një kafshë ka një identitet që vazhdon në kohë, këto eksperienca mund të jenë më tepër të lidhura me ndërgjegjësimin tonë mbi marrëdhëniet që kemi me pjesë të tjera të vetes tonë sesa të individualitetit të kafshës (në të njëjtën mënyrë siç projektojmë veten tonë tek njërëz të tjerë). Për shëmbull, dikush ka një qen të cilin ai e sheh si një personalitet më vete; por, shohim gjithashtu se ka një marrëdhënie të veçantë ose një përngjashmëri midis personalitetit të qenit dhe të pronarit të tij. Teksa e veshtrojmë këtë, mund të arrijmë të shohim se si një pjesë e personalitetit të qenit mund të jetë fare mire forma mendore të projektuara nga pronari. Një kafshë shtëpiake mund të marrë edhe neurozat e pronarit të tij! Pra ne mund të kuptojmë se si këto forma mendore mund edhe të duket sikur “rimishërohen” nga një kafshë tek tjetra.

Pra është tepër e rëndësishme, nëse jemi vërtet të interesuar për kafshët tona të dashura, që t’i përkushtojnë përpjektet tek shërimi i shpirtrave tanë kokëfortë dhe të njërëzve që na rrethojnë. Sepse vetëm nëse njerëzimi do të bëhet i plotë, atëherë mundet që bota e kafshëve të shprehë, manifestojë aspektet e tyre të Frymës Hyjnore, të pa penguar nga projeksionet tona.

Përmbledhje

Ne jemi shpirtra, qënie shpirtërore që kanë krijuar për veten e tyre trupa mendorë dhe janë të projektuar në trupa fizikë. është një pjesë e jona, fryma, që është perfekte dhe nuk e ka lënë asnjëherë fronin e Zotit. Pra është një potencial– i quajtur mbi-ndërgjegja– që shpirti të jetë në harmoni me Gjithësinë. Një pjesë e jona ka lindur nga fryma e rebelimit, që ka marrë rrugën e vet në mënyrë të vullnetshme. Prandaj e gjejmë veten tonë në ndërgjegjen fizike. Leximet e përshkruajnë këtë si një gjëndje në të cilën shpirti dremit dhe “ëndërron” dhe merr pjesë në një ndërgjegje fizike të limituar. Sidoqoftë, shpirti gjykohet nga zgjedhjet që bën në këto “ëndrra” (që janë periudhat kur ne jemi të zgjuar në këtë dimension). 

Për sa i përket konsideratave tona mbi natyrën e shpirtit, mund të përcaktojmë hapat për zhvillim shpirtëror shkurtimisht. Duhet të vendosim një ideal shpirtëror (dhe në fund të fundit ka vetëm një: dashuria për Zotin dhe për shpirtrat e tjerë), t’i kërkojmë mëndjes sonë të përqëndrohet në atë ideal dhe të marrë vendime e të bëjë zgjedhje të bazuara mbi atë ideal. Atëherë mëndja dhe vullneti mund të vihen në harmoni me frymën; dhe ne jemi të lirë të shprehim- secili në mënyrën e vet- dashurinë tonë për Zotin dhe njërëzit. 

Dr. Herbert Puryear, “Lesson X: The Soul-God’s Companion.” Covenant: An A.R.E. Membership Course, Association for Research and Enlightenment, 1996

Lexo dokumentin origjinal këtu